Tenton të çmontojë saraçineskën e tubacionit të ujit, humb jetën 48-vjeçari
Mirditë-Një person ka gjetur vdekjen pasi ka tentuar të çmontojë saraçineskën e tubacionit të ujit në një pusetë.
Sipas policisë, kjo ngjarje ka ndodhur tek vendi i quajtur ish Gjeologjia e Mashterkorit, në Reps- Mirditë, në pusetën e shkarkimit të ujësjellës – kanalizime.
Viktima është Fran Legisi, 48 vjeç, banues në Reps të Mirditës. Nga veprimet hetimore të policisë, ka rezultuar se 48-vjeçari kishte probleme me shëndetin mendor prej disa kohësh.
Ditën e sotme me një çelës hidraulik ka tentuar të çmontojë saraçineskën e tubacionit të ujit në një pusetë, ku për pasojë presioni i ujit ka shkëputur një pjesë të saraçineskës duke e goditur në pjesën e kokës dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.
Materialet i referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për vlerësim si ngjarje aksidentale./tvklan.al