Vrasja e turistit rus, “Apeli” liron nga burgu biznesmenin Fatmir Kuçi
Gjykata e Apelit në Vlorë ka urdhëruar lirimin nga burgu të biznesmenit Fatmir Kuçi. “Apeli” i caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje një herë në javë, në Prokurorinë e Vlorës.
Ndryshimi i masës erdhi pasi prokuroria e policia nuk arritën të provojnë se ai është autori i dëmtimit me vdekje të turistit rus.
Sipas gjykatës, nuk ka asnjë të dhënë që provojnë se Kuçi e ka dëmtuar turistin.
Gjykata thotë se lirimi i tij nga burgu nuk përbën rrezikshmëri ikje dhe as dëmtin të provave, pasi ka qenë i gatshëm për të zbardhur të vërtetën që në momentin kur e ka gjetur trupin.
Fatmir Kuçi pretendon se e ka gjetur në det të hapur të plagosur, dhe e ka ndihmuar duke e nxjerrë në breg, për t’i dhënë ndihmë mjekësore.
Më herët, Gjykata e Vlorës kishte caktuar masën e sigurisë, 20 ditë burg për biznesmenin 44 – vjeçar, Fatmir Kuçi, i dyshuar se goditi për vdekje nga pakujdesia me skaf, turistin rus Denis Kaiumov.
Vlerësimi i masës së sigurisë u bë në spitalin e Vlorës, ku Kuçi ndodhej i shtruar pasi kishte shfaqur probleme me zemrën.
Të pranishëm në Gjykatën e Vlorës kanë qenë dhe përfaqësues të Ambasadës ruse, të cilët e kanë ndjekur me seriozitet rastin, që nga momenti kur ndodhi ngjarja.
Prokurori i çështjes, në kërkesën për caktim mase, kishte përcaktuar 30 ditë burg për biznesmenin. Kjo kërkesë motivohej me faktin se prokuroria është në pritje të akteve të ekspertimit mjeko – ligjor, atij biologjik, marrjen e të dhënave nga paisja GPS mbi lëvizjen e mjetit lundrues, kqyrjen e imtësishme të mjeteve lundruese në pronësi të 44 – vjeçarit dhe si dhe pyetjen e dëshmitarëve të tjerë mbi ngjarjen.
Pala mbrojtëse mësohet se i qëndroi versionit se biznesmeni nuk është autori i vrasjes nga pakujdesia të turistit, por e ndihmoi teksa e pa të gjakosur në det.
Paraditen e 3 Gushtit, turisti rus Denis Kaiumov u godit për vdekje nga një mjet motorik lundrues teksa notonte në plazhin e Livadhit./tvklan.al