Zgjedhjet në Dibër, Basha: Rama dhe shpura e horrave po luajnë me zjarrin
Deputeti i PD Gent Strazimiri bëri publik sot lajmin se Rama është hedhur në aksion për të blerë votat e qytetarëve të Dibrës dhe se po përdor çdo mercenar dhe instrument, për të penguar votën e lirë të qytetarëve.
Sipas tij, drejtori i Arsimit në Dibër, Drin Gjeci, thërret arsimtarët në zyrë, duke i kërcënuar me njoftime për largim nga puna, nëse nuk votojnë kandidatin e qeverisë.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Kreu i PD Lulzim Basha. Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se shantazhi që po u bëhet mësuesve të Dibrës do të marrë përgjigjen e merituar. Ai gjithashtu i bëri thirrje edhe Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimin për krimin zgjedhor të kërcënimit për votën.
Deklarata e plotë e Kreut të PD, Lulzim Basha:
“Në vend që të verifikonte e të mbante qëndrim për krimin skandaloz të Drini Gjecit që ju valëvit mësuesve njoftimin e largimit nga puna, nëse nuk votojnë kandidatin e qeverisë në zgjedhjet e 11 Shtatorit, Edi Rama mori sot në mbrojtje horrin e tij, që menaxhon arsimin në Dibër.
Me këte akt, ai konfirmoi publikisht se qëndron vetë pas kësaj skeme të dhunimit të votës, të përdorimit të pushtetit për të grabitur vullnetin e lirë, duke luajtur me bukën e arsimtarëve dhe fëmijëve të tyre.
Rama e legalizoi këtë krim përmes Luizës së tij të arsimit e cila prej 3 vitesh i ka kthyer drejtoritë arsimore në qendra korrupsioni, ku paguhen mijëra euro për një vend pune dhe në motele, ku trafikohen mësueset e reja për kënaqësinë e pushtave të rilindjes.
Shantazhi që u bëhet mësuesve të Dibrës, do të marrë përgjigjen e merituar. Kërcënimet e horrave të Ramës nuk do ta zhbëjnë dot vullnetin e dibranëve. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për krimin zgjedhor të kërcënimit për votën.
Ju bëj thirrje arsimtarëve dhe të gjithë të punësuarve të tjerë në Bashkinë e Dibrës, të mos bien pre e presioneve dhe kërcënimeve dhe i siguroj se çdo zuzar që guxon t’i shantazhojë do të përballet me ligjin.
Ndërsa Edi Rama dhe shpura e horrave që ka dislokuar në Dibër për të trembur dhe dhunuar dibranët, duhet ta dijnë se po luajnë me zjarrin.
Zemërata e sovranit të dhunuar, vjedhur dhe poshtëruar do të përvëlojë çdo rryshfet, çdo kërcënim, çdo bandit e mercenar bashkë me shefin e tyre.”/tvklan.al