Kolonjë/Disa punonjës policie nën hetim për kultivim kanabisi
Një operacion kundër kultivimit të kanabisit, ka vënë nën hetim edhe disa punonjës të policisë. Hetimi po kryhet nga Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, pas zbulimit të disa parcelave me mbi 17 mijë rrënjë kanabis sativa në Kolonjë.
Policia njoftoi zyrtarisht se në operacion është përfshirë edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme, një strukturë që heton vetëm shkelje ligjore të Policisë së Shtetit.
Zyrtarisht nuk bëhet e ditur të ç’niveli janë punonjësit e policisë që po hetohen, as nëse kanë patur dijeni dhe s’kanë vepruar apo po kanë bashkëpunuar me grupet e narkotrafikut.
Disa burime të besueshme i thanë Televizionit Klan se janë disa efektivë të policisë së Ersekës dhe Korçës.
Në operacionin për asgjësimin e parcelave me kanabis, të mbjella në një zonë të pyllëzuar në fshatin Qiman – Radovickë, morën pjesë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës.
Përfshirja e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankeasave, vjen në një kohë kur Prokuroria për Krimet e Rënda po verifikon një material të SHISH, pikërisht mbi dyshimet se punonjës të policisë janë të lidhur me grupet kriminale që kontrollojnë kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.
Tv Klan