Publike posta elektronike e Clinton, goditje për fushatën e kandidatës demokrate


Publike posta elektronike e Clinton, goditje për fushatën e kandidatës demokrate

20:00 23/08/2016

Çështja e shumëpërfolur e emaileve të Hillary Clinton rrezikon të dëmtojë fushatën e mbetur presidenciale të kandidates demokrate.

Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës urdhëroi Departamentin Amerikan të Shtetit të rishikojë rreth 15 mijë email-e të tjerë nga posta elektronike private e Hillary Clinton, emaile të cilat kjo e fundit i ka përdorur në funksionin e saj, si Sekretare e Shtetit. Të dhënat e reja kanë dalë në dritë në një hetim të fundit, lajmëroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i cili nga ana tjetër sqaroi se nuk dihet se sa prej emaileve të reja janë private, apo të lidhura me funksionin e ish-Sekretares së Shtetit.

Më herët FBI në mbyllje të hetimit rreth skandalit të emailit të Clinton, deklaroi se përdorimi i llogarisë private ishte një veprim “ekstremisht i pakujdesshëm”, por gjithësesi, kandidatja demokrate nuk do të ndiqet penalisht.

Vetë Clinton është mbrojtur duke thënë se e kishte përdorur emailin privat për çështje thjeshtësie dhe se nuk mbante mend ta kishte përdorur për materiale të klasifikuara. Por hetuesit federalë zbuluan se adresa private e ish-Sekretares Amerikane ishte përdorur në më shumë se 100 raste për informacione sekrete.

Tv Klan






Të ngjashme