
Investim 1 mln dollarë për protezat ortopedike
Spitali i Traumave në Tiranë, shërbimi i ortopedisë në QSUT, si dhe Spitali Rajonal i Durrësit, përmes një investimi 1 milion dollarësh të qeverisë, kanë nisur të ofrojnë falas për pacientët e tyre protezat ortopedike.
Kryeministri Rama ka shoqëruar Ministrin e Shëndetësisë në një inspektim në Spitalin Universitar të Traumave, ku ka folur me pacientë që kanë kryer ndërhyrje për implementimin e protezave ortopedike.
Ndërsa në një mbledhje me stafin mjekësor Ministri Beqaj konstatoi se ka patur përmirësime të ndjeshme në Shërbimin e Kirurgjisë Ortopedike falë përfitimit nga partneriteti publik-privat të shërbimit të integruar të instrumenteve kirurgjikale.
Në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrit, thuhet se gjatë 3 viteve në Spitalin e Traumës janë investuar rreth 300 milionë lekë të reja në projekte të ndryshme, pajisje dhe teknologji. Një prej tyre është rezonanca magnetike.
Tv Klan