FIFA pengon Mërgim Brahimin të luajë me Kosovën
Mërgim Brahimi nuk mund të luajë me Kosovën. Kjo është përgjigjia e FIFA-s, për mesfushorin e Grasshopper, sipas asaj që raportojnë mediat kosovare.
Një burim në Federatën e Futbollit të Kosovës sqaron se kërkesa e 24-vjeçarit është hedhur poshtë. Mërgim Brahimi është aktivizuar me më shumë se një përfaqësuese dhe kjo është kthyer në pengesë. Brahimi luajti me Kombëtaren Shpresa për disa ndeshje, ndërsa u aktivizua vetëm për pak minuta në miqësoren Shqipëri – Iran, e zhvilluar në 27 Maj të 2012.
Mërgim Brahimi më pas zgjodhi të kalonte te 21-vjeçarët e Zvicrës, duke marrë pjesë në kualifikueset e Euro 2015. Mesfushori i lindur në Istog veshi edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës, por nuk ishte e njohur ende ndërkombëtarisht. Në këto momente Federata e Futbollit të Kosovës po i bën ftesa shumë lojtarëve, të cilët janë aktivizuar me përfaqësuese të tjera. Kosova do të debutojë më 5 Shtator në eliminatoret e Botërorit 2018.
Tv Klan