Rrëfehet e moshuara që dhunohej nga i biri: Më rrihte sa herë donte, e shtynte bashkëshortja
75-vjeçarja Hatixhe Alla, e cila u dhunua nga i biri i saj në Bulqizë, ka rrëfyer para oficerëve të policisë ngjarjen. Sipas të moshuarës, dhuna ndaj saj ishte sistematike dhe i biri, Faik Alla, e rrihte sa herë të donte.
Ajo ka vazhuar në dëshminë e saj se i vinte turp ta denonconte. 75-vjeçarja e ka justifikuar dhunën e të birit, me faktin se atij i ka humbur jetën një nga djemtë e tij dhe prej kohësh nuk ishte mirë.
Madje sipas Hatixhe Allës, herë pas here të birin e nxiste bashkëshortja që ta dhunonte. Ndërkohë 55-vjeçari ka mohuar akuzat e ngritura, duke sqaruar se nuk e ka rrahur nënën e tij.
Ai ka pranuar konfliktin që ajo ka me bashkëshorten e tij, por jo se e ka goditur. Faik Alla ka akuzuar komshinjtë e tij se kanë sajuar një histori të tillë, me pretendimin se ai u ka prishur qetësinë, pasi konsumon pije alkoolike.
Pritet që ditën e martë ai të dalë para Gjykatës së Dibrës për t’u njohur me masën e sigurisë. Një ditë me parë u raportua se Hatixhe Alla ishte 101 vjeçe, por e moshuara ka sqaruar se ka ndodhur nje gabim tek pasaporta që në kohën e diktaturës, ku ajo ka marrë të dhënat e vjehrrës që kishte emrin e saj. /Tv Klan