Gianni De Biasi i kënaqur me lojën e skuadrës


Gianni De Biasi i kënaqur me lojën e skuadrës

16:40 01/09/2016

Një fitore do të ishte maksimumi, por edhe kështu Gianni De Biasi është i kënaqur. Pas barazimit 0 – 0 në “Loro Boriçi” kundër Marokut, tekniku i Kombëtares Shqiptare ka bërë të ditur se mori përgjigjet e duhura nga futbollistët dhe skuadra në prag të sfidës kundër Maqedonisë, e para në fushatën eliminatore të Botërorit 2018.

“Mora përgjigje të mira në këtë miqësore. Kundërshtari që kishim përballë ishte i fort dhe pas verës, ku nuk dihet se në çfarë gjendje psiko-fizike vjen skuadra, përgjigjet ishin pozitive. Po ashtu me pëlqeu sjellja e skuadrës në fushë. Bashkë me stafin ishim të shqetësuar se mos euforia e Euro 2016 do të ndikonte, por të gjithë futbollistët u treguan profesionistë, duke e vlerësuar kundërshtarin”.

Të kënaqur me paraqitjen në fushë edhe vetë futbollistët.

Me përfundimin e miqësores me Marokun, e gjithë vëmendja e skuadrës kuqezi përqëndrohet te ndeshja kundër Maqedonisë.

Kombëtarja Shqiptare do të luajë ndeshjen e ardhshme kundër Maqedonisë në eliminatoret e Botërorit 2018, në datën 5 Shtator.

Një pyetje edhe për të rikthyerit në Kombëtare, Gjimshitin edhe Hykan.

“Gjimshiti dhe Hyka? Të dy lojtarët kanë bërë pjesë e grupit tonë. Më vjen keq për Jahmirin që në dy vitet e fundit nuk ishte pjesë e skuadrës, por ky është një mesazh për të gjithë lojtarët e tjerë: Unë i shoh të gjithë dhe më e rëndësishme është dëshira e futbollistëve për të dhënë kontributin. Edhe për Beratin jemi të kënaqur që e kemi mes, por fakti që nuk erdhi në Francë ishte sepse në atë periudhë nuk ishte në gjendjen e duhur.”

De Biasi sqaroi edhe ndryshimet e bëra, teksa theksoi i pëlqeu reagimi i lojtarëve në fushën e lojës, duke mos u treguar euforikë.

“Ndryshimet në formacion nga 4-3-3 në 3-5-2? Nga pikëpamja taktike bëmë mirë, sepse kaluam nga 4-3-3 në 3-5-2 për të mos i lejuar shumë hapësira lojtarëve të krahut të Marokut. Ky ndryshim na lejoi që të krijonim tre apo katër raste për shënim, të cilat nuk janë pak përballë një kundërshtari të tillë. Skemën e ndryshuam gjatë ndeshjes, nuk e kishim parashikuar. Ne e provojmë gjithmonë të ndryshojmë rreshtimin gjatë lojës, për të balancuar lojën në fushë dhe për t’iu kundërvënë kundërshtarit. Është diçka pozitive që të kemi aftësinë të ndryshojmë modulin gjatë lojës. Eufori pas Euro 2016, apo kemi uri për objektiva të rinj? E kishim këtë frikë, ne si staf. Por, djemtë treguan se e respektojnë kundërshtarin dhe ishin mjaft të përqendruar. Nuk është aspak e lehtë, por përgjigja ishte mjaft pozitive.”

Tv Klan






Të ngjashme