Dy mrekullitë që e bënë shenjtore Nënë Terezën
Dy janë mrekullitë që i hapën rrugën shenjtërimit Nënë Terezës.
Në 1988, një grua nga një fshat i Indisë, e quajtur Monika Besra, nënë e 5 fëmijëve, po kurohej në një spital e diagnostikuar me meningit turberkular, me një tumor në bark. Duke mos patur mundësi financiare për shpenzimet mjeksore, ajo shkoi të gjente shërim tek Misionaret e Bamirësisë. Monika pranoi se teksa lutej u godit nga një rreze drite që erdhi nga fotografia e Nënë Terezës. Më pas, ajo kërkoi që një medaljon me fytyrën e Nënë Terezës të vihej në barkun e saj. Një ditë më pas, ajo ishte shëruar dhe deklaroi se,“Zoti më ka zgjedhur si mjet për t'i treguar njerëzve fuqinë e madhe shëruese të Nënë Terezës, jo vetëm përmes mjekimeve fizike, por edhe përmes mrekullive të saj"
. U deshët 35 mijë faqe dokumentacion për të saktësuar të vertetën e kësaj mrekullie. Në vitin 2003, Papa Gjon Pali i Dytë njohu zyrtarisht shërimin e Monica Besra, si mrekullinë e parë të Nënë Terezës. Në vitin 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë e dytë. Një burrë nga Brazili, Marcilio Haddad Andrino, konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru. Në gjendje kome, ai u dërgua në sallën e operimit të një spitali për një ndërhyrje, për shkak të një tumori në tru. Bashkëshortja e tij, familjarët dhe një prift gjendeshin në faltoren e spitalit duke iu lutur Nënë Terezës, ashtu siç kishte kërkuar Andrino. Operacioni u shty për gjysmë ore për probleme teknike në sallë. Mjeku, pasi u kthye e pa pacientin të ulur mbi krevat, zgjuar dhe plotësisht të ndërgjegjshëm, që e pyeti:“Çfarë dua unë këtu?”
. Shërimi i tij u verifikua shumë shpejt. Mjekët thanë se ky ishte rasti i ringjalljes nga vdekja. Ishte mrekulli e cilësuar si e shkallës së parë. Bashkë me gruan e tij, Andrino mori pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës. Dy bashkëshortët deklaruan se shenjtorja shqiptare nuk u dhuroi vetëm një jetë, por tre, edhe ato të dy fëmijëve të lindur pas shërimit. Tv Klan