Pritet përkeqësim i motit, Bashkia masa për përballimin e situatës


Pritet përkeqësim i motit, Bashkia masa për përballimin e situatës

18:04 05/09/2016

Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët se gjatë orëve në vijim dhe gjithë ditës së nesërme, sipas parashikimeve nga rrjetet meteorologjike vendase dhe të huaja, pritet një mot i keq me sasi të mëdha dhe rreshje të dendura shiu, në nivele të atilla sa mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit.

Për këtë arsye, Kryebashkiaku Veliaj ka thirrur sot Shtabin e Emergjencave për të ndarë detyrat për 24 administratorët dhe për të gjitha ekipet lokale të ndihmës, si dhe marrjen e të gjitha masave për përballimin e problematikave që mund të shfaqen gjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, Bashkia e Tiranës thotë se janë angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë e ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet. 

Gjithashtu, Bashkia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë natës së sotme dhe paradites së nesërme, kur pritet që intensiteti i rreshjeve të jetë më i lartë se zakonisht, të shmangin qarkullimin e panevojshëm. Bashkia i bën gjithashtu thirrje qytetarëve që jetojnë në zonat rurale, që të marrin masa e të mos frekuentojnë brigjet e lumenjve në zonat që paraqesin rrezikshmëri.

Bashkia thotë se ka evidentuar edhe rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar, si dhe do të ketë në terren, gjatë gjithë natës së sotme, 1200 punonjës dhe mbi 60 mjete, në ndihmë të qytetarëve në rast nevoje.

Ky institucion kërkon gjithashtu mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për çdo shqetësim që ata mund të hasin, qoftë me trafikun e rënduar, qoftë me bllokimin e rrugëve që shfaqen si problematike pas rreshjeve të dendura të shiut.

Në raste emergjencash Bashkia ka vënë në dispozicion numrin e telefonit 0800 0888 (nga numrat fiks), atë të Policisë Bashkiake, 04 24 19 465 dhe Zjarrfikëset në numrin 112, ose administratorin e njësisë tuaj administrative./tvklan.al






Të ngjashme