KPP anulon koncesionin e Rrugës së Kombit, shpall fituese kompaninë shqiptare “Catalyst and Salillari”
Komisioni i Prokurimeve Publike ka vendosur të anulojë koncesionin e Rrugës së Kombit, që u fitua nga kompania turke “Vendeka Bigli”.
Pas shqyrtimit të ankesës së bërë në Komisionin e Prokurimit Publik nga “Catalyst dhe Salillari”, një bashkim kompanish shqiptare, i renditur i dyti në garë për këtë rrugë për skualifikim të padrejtë, Komisioni ka vendosur ta pranojë ankesën e tyre.
Komisioni i Prokurorimit Publik, në qëndrimin zyrtar thotë se vendosi të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Kontraktues, për skualifikimin e ofertës së paraqitur nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomik “Catalist dhe Salillari” dhe të korrigjojë shkeljet duke e kualifikuar atë.
Po ashtu, në raportin e KPP vendoset të anulohet vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit kontraktues për kualifikimin e ofertës së paraqitur nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomik, “Vendeka Bigli “ dhe të korrigjojë shkeljet duke e skualifikuar atë.
Shkak për përmbysjen e këtij vendimi, sipas Komisionit të Prokurimeve, janë disa shkelje të gjetura në dokumentacion dhe për shkak se oferta e pranuar është më e lartë se ajo e kompanive shqiptare që kishin dhënë një ofertë më të ulët.
Komisioni i Prokurimit Publik udhëzon Autoritetin Kontraktor, që në këtë rast është Ministria e Transporteve, që të korrigjojë shkeljet dhe më pas të vazhdojë me procedurën e prokurimit të kontratës.
Brenda 10 ditëve, Ministria e Transporteve duhet të verë në dijeni KPP për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera.
Rruga e Kombit është parashikuar të jepet me koncesion për mirëmbajtje, për 30 vite.
Tv Klan