Votohet në unanimitet shpëtimi i skuadrës së Elbasanit


Votohet në unanimitet shpëtimi i skuadrës së Elbasanit

15:22 08/09/2016

Festa e titullit kampion është një kujtim i largët. Që pas trofeut të vitit 2006, gjërat kanë shkuar në mënyrën më të keqe për Elbasanin.

Por zgjidhja e problemeve dhe rikthimi i skuadrës sërish në elitën e futbollit shqiptar, duket se vjen nga Anglia. Zërat që qarkullonin prej kohësh janë konfirmuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak që miratoi të enjten shitjen e aksioneve te kompania angleze “Level Up S.A”.

Pamundësia financiare e bashkisë dhe borxhet e akumuluara prej vitesh, bënë që kjo zgjidhje të votohej në unanimitet nga të gjithë anëtarët. Kushtet e shitjes së aksioneve te kompania angleze me qendër në Zvicër i shpjegoi Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini.

Ky i fundit tregoi se pronarët e rinj, përveçëse do të ndërtojnë Akademinë e Futbollit, kanë marrë përsipër edhe shlyerjen e gjithë detyrimeve të klubit.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, kompania angleze do të jetë pronare e klubit, por stadiumi “Elbasan Arena” dhe gjithë terrenet e tjera sportive mbeten asete të bashkisë.

Tv Klan






Të ngjashme