“Loro Boriçi” 6 minuta në errësirë, stadiumit 18 milionë eurosh i ikin dritat
Ndeshja e parë e Vllaznisë, në stadiumin e rinovuar “Loro Boriçi”, u ndërpre në çastet e fundit për disa minuta.
Kjo nuk ndodhi për shkak të motit të keq, si në ndeshjen Shqipëri – Maqedoni, por si pasojë e errësirës.
Dritat e kullave të ndriçimit u fikën për plot 6 minuta, si pasojë e një defekti në rrjetin energjitik.
Gjyqtari Enea Jorgji ndërpreu takimin deri në ndezjen e prozhektorëve, për të luajtur edhe çastet e fundit të përballjes së Superligës me Kukësin.
Problemi, që zgjati për rreth 6 minuta, u shkaktua një luhatje e tensionit në rrjetin që furnizonte stadiumin e Shkodrës.
Këtë e konfirmon edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Energjitike, që sqaron se nuk është njoftuar për mbajtjen e këtij aktiviteti.
Me rindezjen e dritave loja përfundoi rregullisht, por duke lënë dyshime se probleme të tjera mund të ndodhin sërish.
Dy ndeshjet e para zyrtare të luajtur në stadiumin që ka kushtuar 18 milionë euro kanë nxjerrë në pah probleme të mëdha të këtij projekti.
Një tjetër problem shqetësues për këtë stadium është mungesa e parkingut, një kërkesë kjo edhe e UEFA –s, që mund ta penalizojë impiantin nga mikpritja e ndeshjeve ndërkombëtare.
Tv Klan