Mbetet në burg Shullazi
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nuk pranoi ankimin e Emiljano Shullazit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, për të mos zgjatur afatet e hetimit.
Togat e zeza e cilësuan të pabazuar në ligj kërkesën e avokatëve. Sipas gjykatës, vendimi i Shkallës së Parë, që i jep të drejtë Prokurorisë për të vazhduar mbledhjen e provave ndaj Shullazit dhe “bandës” së tij, është i drejtë. Për këtë fakt, gjykata argumetoi se ankimi rrëzohet.
Disa ditë më parë ishte prokuroria, e cila gjatë dhënies së informacionit 2 mujor para gjyqtarit të masave, kërkoi të zgjasë hetimet ndaj Shullazit, pasi duhet të kryhen edhe shumë veprime të tjera hetimore.
Mes tyre, marrja në pyetje e gjyqtarëve të Durrësit, pyetja e kreut të Hipotekës së qytetit bregdetar, avokatëve që janë marrë me çështjen e pronësisë së ish – hotel “Vollgës”.
Gjithashtu do të pyeten pedagogë, të cilët shoqëronin rektorin Mynyr Koni në momentin e kërcënimit të tij nga Shullazi. Për këto veprime, Prokuroria i kërkoi kohë Gjykatës, e cila miratoi kërkesën për kryerjen e të gjitha këtyre veprimeve proceduriale.
Në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit nuk ishte i pranishëm Shullazi, apo bashkëpunëtorët e tij, të cilët u përfaqësuan nga avokatët.
Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohet për një sërë veprash penale të rënda, si grup i strukturuar kriminal, trafik droge, gjobëvënie ndaj disa biznesmenëve dhe kanosje për përfitimin e pronave.
Tv Klan