Kërcënohet dëshmitari i çështjes DIA
Romeo Kara, përfaqësuesi juridik i OSHEE -së, dëshmitar kyç në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit Kastriot Ismailaj është marrë në mbrojtje nga policia.
Këtë të premte, ai është paraqitur në gjykatë për të dëshmuar, i shoqëruar nga disa efektivë të Forcave Speciale. Megjithatë ai nuk ka mundur të japë dëshminë e tij. Kjo për shkak se në sallën e gjyqit, biznesmeni Ismailaj ka pretenduar se nuk dëgjonte se çfarë diskutohej, për shkak të xhamave të vendosur rreth tij.
Ndodhur në këto kushte, gjykata vendosi të shtyjë seancën derisa ky problem të zgjidhej nga administrata e Gjykatës së Tiranës.
Mësohet se një telefonatë kërcënuese, e mbërritur në telefonin e juristit të OSHE-së është bërë shkak që policia ta marrë në mbrojtje, së bashku me familjen e tij.
Romeo Kara ka përfaqësuar OSHEE -në në Arbitrazh, ku kompania e Ismailaj, DIA, kërkonte dëmshpërblim në vlerën e 135 milionë eurove, për prishje të njëanshme të kontratës.
DIA kishte fituar të drejtën për të mbledhur borxhet që biznese dhe familjarë i kishin ndër vite OSHEE-së. Por kjo, sipas Prokurorisë, rezultoi të ishte një skemë mashtrimi ku Ismailaj i vodhi buxhetit të shtetit 5 milionë euro.
Tv Klan