Grabitet biznesi i deputetit Frroku
Katër persona të veshur me uniforma policie dhe ushtrie grabitën biznesin në pronësi të familjes së deputetit Mark Frroku në Tiranë. Pas grabitjes agresorët u larguan me një automjet të cilit i vunë flakën për të humbur gjurmët.
Ministri i Brendshëm po raportonte në komisionin e ligjeve kur kjo grabitje me armë ndodhi në kryeqytet. Autorët të veshur me uniformë kamuflazhi dhe policie grabitën zyrat e pikës së basteve dhe restorantit në pronësi të familjes së deputetit Frroku i cili lajmëroi ministrin për grabitjen.Ngjarja ndodhi në afërsi të zonës së Kombinatit në zonën e njohur si "Misto Mame" kur nën kërcënimin e armëve 3 prej grabitësive morën kursimet e arkës së dy bizneseve. Agresorët arritën të largohen nga biznesi me një automjet tip "Opel" me targa të huaja dhe sipas policisë ata u ndihmuan dhe nga një person i 4 i cili ngiste makinën.Për kapjen e tyre u angazhuan dhe forcat speciale të ndërhyrjes së shpejtë. Pas kontrolleve, në zonën e Kasharit policia gjeti automjetin e grabitësve në flakë. Sipas policisë mjeti tip "Opel" me targa të huaja u gjet në afërsi të liqenit të Kasharit dhe dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit.Për ngjarjen policia sekuestroi dhe kamerat e sigurisë së biznesit që mendohet se kanë fiskuar dy prej agresorëve që kanë qenë të pamaskuar. Ndërkohë janë marrë në pyetje dhe personeli i biznesit si dhe janë ngritur disa postblloqe për kapjen e tyre.