Dhuna barbare ndaj biznesmenit libanez, dyshimet mbi banorët pas konflikteve për pronën


Dhuna barbare ndaj biznesmenit libanez, dyshimet mbi banorët pas konflikteve për pronën

15:51 12/09/2016

Dyshimet se rrahja barbare e biznesmenit amerikano - libanez pranë kryqëzimit të Lakansit, ditën e shtunë, nuk ka qenë ngjarje e rastësishme, kanë ngushtuar rrethin e hetimeve.

Burime nga grupi hetimor thanë se pista kryesore e hetimit mbetet ajo e konfliktit për shkak të investimit që po kryente Fadi Mitri në zonën e Gjirit të Lalzit.

Kjo është prona prej 28 hektarësh, në të cilën kompania Omnix Albania, me administrator biznesmenin libanez, do të investojë rreth 200 milionë euro për ngritjen e një kompleksi turistik multifunksional.

prona-biznesmenit

Kjo pronë, në vitin 2011 u bë shkak për një protestë të banorëve të Gjirit të Lalzit, të cilët prishen edhe rrethimin e saj.

Hetuesit dyshojnë se janë pikërisht banorë të kësaj zonë, ata që e kanë dhunuar biznesmenin ose që kanë paguar persona të posaçëm për ta dhunuar.

Kjo e dyta është pista më e besueshme, pasi biznesmeni i dhunuar dhe shoferi i tij kanë deklaruar në polici se njëri nga agresorët e ka filmuar ngjarjen, ndoshta për t’ua treguar porositësve.

Ata i kishin thënë gjithashtu atij të ndërpriste punimet dhe të largohej nga Shqipëria.

Për policinë, ngjarja është e lidhur me investimin. Në versionin e parë, policia tha se konflikti ndodhi pas një aksidenti rrugor, por tashmë kjo pistë është rrëzuar nga hetuesit.

Problemet me pronën duket se janë bërë shkak edhe për vonesën e punimeve.

Një vendim i qeverisë i marrë në Gusht të këtij viti për shpyllëzimet, përcakton se sipërfaqja pyjore prej 28 hektarësh në ngastrat 70 A, B, C, D, të ekonomisë pyjore rrotull, do të përdoret nga shoqëria "Omnix Albania", për ndërtimin e një kompleksi turistik rezidencial.

Policia e Durrësi dhe ajo e Tiranës që po kryejnë hetimin për këtë ngjarje të rënda kanë shoqëruar 12 persona.

Tv Klan





Të ngjashme