Kurban Bajrami festohet ndryshe në familjen Dungaj
Drekën e Kurban Bajramit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi ta festojë në familjen e Pëllumb Dungaj, njëra nga familjet e pastreha që kanë përfituar banesë sociale.
Në ditën që simbolizon sakrificën për njerëzit në nevojë, Bashkia e Tiranës mendoi që ta festojë Kurban Bajramin me familjet në nevojë duke zgjedhur pikërisht shtëpinë e Pëllumbit, një familje me 6 anëtarë. Nga tavolina e bukës së familjes Dungaj ai uroi edhe njëherë të gjithë besimtarët myslimanë “Gëzuar Kurban Bajramin”.
“E përgëzoj Pëllumbin sepse më ka impresionuar gjithmonë si një njeri që nuk ankohet pse nuk bëhen gjërat, por që mundohet gjithmonë të gjejë një zgjidhje, të punojë, të përpiqet për familjen, të respektojë ligjin”,
tha Veliaj.
Sipas tij, ka shumë njerëz, të cilët mendojnë ta zgjidhin problemin e tyre duke shkaktuar një tjetër.
“Kjo nuk funksionon! Ti e ke pranuar që je në nevojë, ke kërkuar ndihmën e shtetit, por kurrë duke i prishur punë dikujt tjetër për të zgjidhur punët e tua”
, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se është i lumtur që procesi i banesave sociale ka funksionuar. “Është turp që u deshën kaq shumë vite për të zgjidhur një punë të thjeshtë. Ne do të fillojmë të bëjmë edhe banesa sociale të tjera. Do të shtojmë edhe një rregull që, nëse dikush merr një leje ndërtimi, disa nga banesat t’i rezervojë për banesa sociale, që edhe pse qyteti ka 1 milion vetë, nuk ka pse ta humbasë fytyrën njerëzore; duhet ruajtur solidariteti”, u shpreh Veliaj. Ai falenderoi Pëllumb Dungajn, të cilin e cilësoi një model frymëzues.
Pëllumb Dungaj e falenderoi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për banesën sociale, ku ai, bashkëshortja dhe 4 fëmijët e tij jetojnë sot.
“Kënaqësia ime e vetme mbeten fëmijët. Unë kam sakrifikuar gjithmonë vetëm për këta fëmijë. Vetë nuk e kam ndjerë aromën e prindit, aq vite sa jam rritur, prandaj nuk dua ta pres aromën e prindit. Dua t’i bashkoj, arsimoj, integroj në jetën qytetare, që edhe fëmijët e mi të ecin në jetë. Më erdhi edhe mua një ditë e bardhë, sot jam shumë i lumtur! Kur fëmija më lumturohet, unë jam shumë i lumtur. Të falenderoj për banesën. Shumë familje të përgëzojnë pafund, jo vetëm unë”,
u shpreh Dungaj.
Më herët,Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i përcolli urimet për festën e Kurban Bajramit kreut të Komunitetit Mysliman, dhe më pas, nëpërmjet medias, edhe gjithë shqiptarëve./tvklan.al