Video/ Sherri për një vajzë, 17-vjeçari vritet në qendër të Pogradecit
Sherri për një vajzë i merr jetën një adoleshenti në qendër të qytetit të Pogradecit.
Në një nga zonat më të frekuentuara nga pogradecarët, disa qytetarë njoftuan policinë se një i ri po qëllonte me armë në një lokal. 17-vjeçari Fabian Muçollari qëlloi me automatik bashkëmoshatarin e tij, Fabiol Hila, pasi dyshonte se i ngacmonte të dashurën. Ngjarja ndodhi në rrugën “Sami Frashëri” të qytetit. Një ditë më parë dy të rinjtë ishin konfliktuar në rrjetet sociale, ndërsa të martën Fabian Muçollari ka shkuar në lokalin ku bashkëmoshatari i tij po qëndronte dhe e ka qëlluar me automatik. Sipas policisë, 17- vjeçari Hila ndërroi jetë rrugës për në spitalin rajonal, për shkak të plagëve. Menjëherë pas vrasjes, autori i krimit është larguar duke ecur në këmbë bashkë me armën e krimit. Por vetëm pas disa minutash nga vrasja, ashtu siç shihet edhe nga pamjet, policia arrestoi autorin Fabian Muçllari, disa metra larg vendit të krimit. Në momentin e ndalimit, 17-vjeçari Muçollari kishte me vete edhe armën e krimit. Tv Klan