“Nuk mund të jetë demokratik, një shtet që arreston deputetë”
Lëvizja Vetëvendosje, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë thekson se një shtet nuk mund të jetë demokratik, një shtet që arreston deputetë, persekuton qytetarët dhe lufton opozitën.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ky pushtet që ironikisht, ligjërimin e ka të mbushur me fraza mbi demokracinë, përparimin, prosperitetin, mendimin ndryshe, ka arrestuar për 12 muaj më shumë se 400 aktivistë vetëm pse mendojnë ndryshe nga Qeveria. Aktivistët e arrestuar, në shumicën e rasteve janë rrahur brutalisht për kundërshtimin e projekteve që donin të kalonin pa pikë transparence”,
thuhet në deklaratë.
Më tej, siç shkruan
Klan Kosova,
Vetëvendosje, duke sjellë në vëmendje raportin e fundit të “Freedom House”, thotë se nuk mund të ketë përparim me shtet të kapur.
“Në raportin e fundit të organizatës Freedom House ku flitet për Kosovën, shteti jonë zë vendin më të keq në Ballkan. Ai cilësohet si gjysmë autoritar. Strukturat qeveritare, thuhet aty, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin. Nuk mund të ketë përparim me shtet të kapur. Nuk mund të ketë zhvillim me klanin mafioz “Pronto”,
shprehet Vetëvendosje.
“Demokracia do të triumfojë vetëm me zërin e qytetarëve të vendosur, sikur në protestat kundër “Zajednicë” dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi”,
theksohet më tej në njoftimin e shpërndarë për mediat./tvklan.al