Berisha denoncon “aferën ARMO”


Berisha denoncon “aferën ARMO”

19:45 15/09/2016

Çështjen e privatizimit të rafinerisë së naftës në Ballsh, një aseti të rëndësishëm të kompanisë ARMO, opozita e dërgoi në parlament.

Ish – Kryeministri Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se, përmes aferash korruptive ia dha këtë kompani biznesmenit Besnik Sulaj, pa paguar asnjë lek. Ai tha se Rama punon nga mëngjesi në darkë me të gjithë fuqinë e ekzekutivit, për interesa të këtij biznesmeni, për të cilin u shpreh se rafinerinë e Ballshit e ka marrë edhe përmes kërcënimesh.

A e dini ju se 8 muaj më parë, një biznesmen tjetër ka denoncuar Besnik Sulën, kryemafiozin, se e ka kërcënuar me jetë nëse një miliardier tregon interes për Ballshin? Çfarë përgjigje dha zotëria në parlament në atë kohë? Nuk e mohoi dot dhe tha “pse ministër i brendshëm jam unë”. Përgjigja tjetër më vonë ishte që i dha rafinerinë e Ballshit, së bashku me vëllanë e vet, duke shkelur çdo lloj rregulli e duke vjedhur në mënyrë monstruoze një pasuri, duke bërë aferat më të ndyra.

 A e dini se çfarë fshihet pas 7 milionshit të Bankers? Një e drejtë e pamohueshme e ndërmarrjes. A e dini që nuk po e apelon qeveria? Veprimi ndaj Bankers ishte veprim arbitrar, zuzar, ju i tatuat naftën që injektonte në tokë, dhe ajo nuk tatohej në asnjë vend. Bankers fitoi, ndërsa ju futët bishtin ndër shalë dhe nuk e apeloni, duke thyer kështu çdo rregull. Një qeveri është e detyruar ligjërisht të apelojë, po keni gjetur Himcën që sillet si marionetë, që s’njeh ligj dhe asgjë dhe ju veproni në këtë mënyrë. Po pse? Sepse është Besnik Sula dhe Edi Rama në mes. Sepse nuk bëhet asgjë tjetër veçse punohet nga mëngjesi deri në darkë me fuqinë e ekzekutivit për interesat e tij.

Unë nuk merrem me biznesmenin, merrem me atë klientelë kriminale si puna e atij (Sadri Abazi) që fiton 86 tendera dhe i shkatërron të gjithë të tjerët. Apo si puna e atij tjetrit që çon sms dhe kërcënon me jetë investitorët e huaj për të marrë me Ramën Uzinën e Ballshit, apo si puna atij tjetrit që mban në të zezë uzinën e Fierit, për të cilin Brisi ka dhënë porosi kategorike që të mos kontrollohet. A e dini ju që ajo është pronë e ARMO-s dhe ARMO është ndërmarrje e falimentuar, dhe ky për të fshehur fitimet paraqet sikur nuk punonte dhe mban në të zezë 150 punëtorë”.

Në fillim të Shtatorit, nga Partia Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se marrjen e rafinerisë së Ballshit, bashkë me ate të Fierit, biznesmeni Besnik Sula është bërë faktikisht pronar i vetëm i ARMO-s, pa shpenzuar asnjë lek.

Sipas opozitës, kjo është një skemë e pastër korruptive, për të vjedhur pasuritë kombëtare të vendit.

Tv Klan






Të ngjashme