Grabitën karburantin, policia identifikon njërin prej autorëve


Grabitën karburantin, policia identifikon njërin prej autorëve

11:11 17/09/2016

Pa kaluar 24 orë nga ngjarja, policia e Krujës ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej autorëve të grabitjes së ndodhur ditën e ndjeshme në një pikë karburanti, në aksin rrugor Aeroporti i Rinasit – Ura e Gjoles.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se hetimet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim 28 – vjeçarin me iniciale B.M., banues në fshatin Qerek të Krujës.

Ai akuzohet se ditën e djeshme, rreth orës 01:30, në bashkëpunim me një tjetër person, me skafanda dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur një pikë shitje karburanti, në pronësi të 51 – vjeçarit N.V., banues në Mallakastër.

Autorët kanë hyrë në kabinën e vendqëndrimit të rojeve dhe shitësve të karburantit, ku kanë thyer me armë zjarri automatik, xhamin e derës dhe dritares së kësaj kabine dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar punonjësit të hapin kasafortën e parave, nga e cila kanë marrë rreth 300 000 lekë dhe janë larguar me mjetin e tyre motorçikletë e tipit “Lifan”.

Gjatë kryerjes së kontrollit të zonës përreth u gjet i djegur rreth 300 m larg vendit të ngjarjes, motori të cilin kishin përdorur autorët, i llojit 50 Ç.

Nga kryerja e veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes dhe provat e mbledhura ka rezultuar si autor i dyshuar shtetasi B.M. dhe një shtetas tjetër. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit B.M. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës material 4 kg lëndë kanabis.

Policia vijon punën për kapjen e autorit të shpallur në kërkim, identifikimin e autorit tjetër dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes./tvklan.al






Të ngjashme