Prishet konsensusi për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së
Projektligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë është cilësuar si antikushtetus nga opozita në mbledhjen e radhës së Komisionit të Reformës në Drejtësi. Demokratët votuan kundër projektligjit dhe braktisën mbledhjen e Komisionit, me argumentin se drafti prish konsensusin e arritur në 22 Korrik për zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atë të Prokurorisë, parashikuar në nenin 88 të Komisionit të Venecias.
“Ajo që sapo bëri me nenin e parë, mazhoranca ishte që me votim kërkon që me ligj të zhbëjë Kushtetutën miratuar në 22 korrik të Këtij viti. Me ligj të kthejë, të fusë në proces ato që konsensusi politik i hoqi filtrate që do të kapnin politikisht kandidatët që i vijnë Kuvendit për t’u votuar si anëtarë jo gjyqtarë, apo jo prokurorë në KLGj dhe KLP. Pra duan që me ligj, që me mazhorancën e tyrë të zhbëjnë jo vetëm konsensusin politik, por gërmen dhe frymën e nenit kushtetues, në mënyrë të veçantë nenit 147. Nëse do të ishte respektuar marrëveshja, kjo maskaradë nuk do të kishte ndodhur. E bënë të qëllimshme pikërisht për këtë: që me 84 vota apo sado që të kenë të ndryshojnë atë që u arrit në 22 Korrik.”
Ndërkohë, në një prononcim pas mbledhjes, Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi tha se përfaqësuesit që do të përzgjidhen dhe do të vjinë për votim në parlament duhet të kalojnë patjetër filtra që të jetë përfaqësuesi ideal.
Më herët opozita paraqiti një opinion të shoqëruar me 13 amendamente ku evidenton që të paktën për 10 çështje ku shkelet Kushtetuta. Sipas tyre parashikon që shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të zhvillohet në zyrën e Avokatit të Popullit, ndërkohë që Kushtetuta përcakton Presidentin.
Tv Klan