Rama: Gjetëm një polici të lodhur


Rama: Gjetëm një polici të lodhur

11:51 15/04/2014

ramaKryeministri Edi Rama, i ftuar në ceremoninë e organizuar me rastin e marrjes së 30 motoçikletave të reja, të dhurura nga një kompani turke,  riktheu në vëmendje gjendjen e rëndë në të cilën u gjet policia e shtetit. Ai tha se po nis transformimi i një policie të lodhur.

Edi Rama: “Në Europë jam i sigurtë por edhe në botë nëse do të kërkojmë një rast të dytë që Ministria e Brendshme është në këtë derexhe dhe kjo është derexheja ku ne gjetëm jo një godinë, por një strukturë të tërë të punëve tona të brendëshme, të policisë sonë të shtetit, me 46 përqind  të ndërtesave me strukturë të dobët ose shumë të dobët, me 70 përqind të automjeteve policore në gjendje të dobët ose shumë të dobët. Dhe këtë termë të dobët ose shumë të dobët e kanë thënë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe amerikanë që në shqip përkthehet të lodhur dhe shumë të lodhur”.

Kryeministri garantoi se së shpejti do të nisë hapi i dytë i transformimit të policisë së shtetit që do të jetë inovacioni. Ai theksoi se gjatë këtyre 6 muajve të qeverisjes u arrit të këputej njëra këmbë e krimit që sipas tij ndodhej brenda Ministrisë së Brendshme.

Edi Rama: “Politika përmes krimit përpiqet të zërë vendin kryesor në sytë e publikut. Këto 6 muaj janë prova më e sigurtë se njerëzit në polici, janë të gatshëm për këtë luftë dhe se njerëzit janë aty. Sot nuk ka asnjë mjet që nuk gjobitet, qoftë edhe mjeti i autoritetit më të rëndësishëm të vendit nëse është vendosur aty ku nuk duhet. Sot nuk ka autoritet më të lartë se, Policia e Shtetit. Të gjithë duhet ta dinë se, askush nuk duhet të shkelë ligjin. Por në kushtet, kur fotografitë me policë që shtyjnë makinat sepse u ka mbaruar karburanti lufta është e pabarabartë, por krimit tani i është këputur njëra këmbë, ajo që kishte ai në këtë godinë”.

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri  tha se instalimi i kamerave në automjetet e policisë do të ndihmojë në luftën ndaj krimit dhe do të sjellë një standard të ri në policinë e shtetit. Ai u shpreh se policia do t’u përgjigjet me reforma sulmeve te opozitës.

Sajmir Tahiri: “Ne kemi vendosur t`u flasim me fakte dhe me investime afatgjate dhe cilitdo që kërkon të flasë për investime në këto 23 vite e ka shumë të lehtë të flasë. Të gjitha këto investime, janë vetëm fillimi i një pune të re për të siguruar, siguri dhe zero korrupsion. Fytyra e re e policisë duhet që të ofrojë siguri e jo frikë”.

Kamerat do të vendosen në bordin e makinave të policisë, në motorra dhe në trupin e efektivit të policisë, duke bërë transparente punën e efektivëve.






Të ngjashme