Nishani pritet nga Presidenti Obama


Nishani pritet nga Presidenti Obama

11:36 22/09/2016

Presidenti Nishani dhe Zonja e parë, Odeta Nishani, ishin mes të ftuarve që u pritën nga çifti presidencial i Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të pjesëmarrjes në sesionin e 71-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Kreu i shtetit shqiptar dhe zonja Nishani morën pjesë në pritjen e dhënë nga Presidenti Obama dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michele Obama në Nju Jork.

Presidenti Nishani mori pjesë gjithashtu edhe në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në kuadër të 30-vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi mes të tjerash që: “Shqipëria është e angazhuar në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale,” si edhe nënvizoi veçanëritsht miratimin e Reformës në Drejtësi, të cilën e cilësoi si jetike.

Shqipëria vijon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.”

Më herët kreu i shtetit i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Monn, instrumentin e ratifikimit nga Shqipëria të marrëveshjes së Parisit për Klimën. Kjo marrëveshje angazhon Shqipërinë në rakordimin e veprimeve dhe investimeve drejt një të ardhme me karbon të ulët, të qëndrueshme dhe përmirësim të aftësive ripërtëritëse.

Tv Klan






Të ngjashme