Sekuestrohet prona e investimit të “Omnix Albania”


Sekuestrohet prona e investimit të “Omnix Albania”

19:55 22/09/2016

Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur sekuestro të pronës për të cilën u rrah dhe u kërcënua biznesmeni libanez Fadi Mitri.

Këto 45 mijë metra katrorë i janë njohur nga Gjykata e Durrësit Pal Selçunit. Nga hetimi i deritanishëm, prokurorët kanë krijuar dyshime të arsyeshme se ai e ka fituar pronën me anë të dokumentave të falsifikuara.

Hetimet për pronën nisën pas rrahjes së biznesmenit Mitri, që për pasojë sollën edhe tërheqjen nga investimi prej 450 milionë dollarësh të firmës “Omnix Albania”, në Gjirin e Lalzit.

Selçunit iu njoh kjo pronë nga gjykata e Durrësit në Mars të këtij viti. Argumenti kryesor mbi të cilën e ka fituar pronën ka qenë neni 169 i Kodit Civil ku thuhet se: P

ersoni që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj

”.

Por kjo nuk konfirmohet nga ato çfarë kanë ndodhur me këtë pronë.

Në vitin 2011 Pal Selçuni ka patur konflikte me disa persona të tjerë. Po ashtu, në vitin 2014, ai ka bërë një padi për pushtim toke kundër, Fadi Mitri.

Për të paktën këto dy raste, Prokuroria e Durrësit thotë se Selçuni nuk e ka poseduar qetësisht këtë pronë, pasi ka patur pretendime edhe nga të tjerë individë.

Në këtë proces kanë qenë palë Bashkia Durrës dhe Avokatura e Shtetit, por në seancën e fundit ato kanë munguar. Në këto kushte, kur palët e interesuara nuk kanë ngritur pretendime, Gjykata e Durrësit ka vendosur të njohë Pal Selçunin si pronar.

Kundër këtij vendimi nuk është bërë asnjë ankim nga Bashkia e Durrësit dhe as nga Avokatura e Shtetit. Mungesa e tyre në gjyq dhe moskryerja e ankimimit do jetë objekt i një hetimi nga Prokuroria.

Tv Klan

Hetimet

Shtetasi Pal Selçuni ka kërkuar në gjykatën e Durrësit njohjen e pronësisë mbi këtë truall me parashkrim fitues. Në pretendimin e tij, Selçuni e ka bazuar kërkesën e tij në nenin 169 të Kodit Civil, ku parashikohet se “personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj”.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi përfitimin e e të drejtës së pronësisë, menjëherë pas plagosjes me mjete të forta të shtetasit Fadi Mitri, i cili nga ana e tij ka një kontratë qeraje me shtetin shqiptar për zhvillimin e pronës së njohur në emër të shtetasit Pal Selçuni. Prokuroria e

Durrësit nisi këtë hetim, menjëherë pasi Policia e Shtetit referoi në Prokurorinë e Tiranës materialin mbi kryerjen e veprës penale “Plagosje e lehtë me dashje”, në dëm të shtetasit Fadi Mitri. Nga materialet paraprake të referuara në Prokurorinë e Tiranës, dyshohet se goditja ndaj biznesmenit Mitri është kryer për shkak të një sipërfaqe toke, e cila i është dhënë në përdorim kompanisë së administruar prej tij, “Omnix Albania” shpk. Po në këtë sipërfaqe, ka pretendime mbi pronësinë familja e shtetasit Pal Selçuni, banues në Draç të Ishmit, në Durrës.

Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit ka nisur veprimet hetimore mbi regjimin e pronës në zonën e Draçit, në Ishëm të Durrësit, e cila dyshohet se ka shërbyer si shkak për goditjen e biznesmenit Fadi Mitri.

Në bazë të akteve të administruara deri në këtë fazë, janë krijuar dyshime të arsyeshme se, në procesin gjyqësor për njohjen e pronës, pala paditëse (P. Selçuni) ka paraqitur dokumente të falsifikuara për të provuar posedimin “e pandërprerë dhe të qetë të kësaj prone për një afat prej njëzet vjetësh”.

Nga aktet e administruara, rezulton se shtetasi Pal Selçuni, në vitin 2011, ka pasur një konflikt fizik me disa shtetas të tjerë, në pronë kufitare për pronësinë mbi terrenin objekt shqyrtimi gjyqësor. Të dyja palët e përfshira në konflikt në atë kohë kanë bërë kallëzim. Prokuroria e Durrësit ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, për shkak se “dëmet nuk kanë qenë të konsiderueshme për t’u klasifikuar si vepër penale, sipas nenit 150 te K. Penal, por palët mund të paraqesin padi civile për shpërblim dëmi”.

Po ashtu, rezulton se në vitin 2014, shtetasi Pal Selçuni ka bërë një padi për pushtim toke kundër shtetasit libanezo-amerikan, Fadi Mitri, administrator i kompanise “Omnix Albania”. Edhe në atë kohë, Prokuroria e Durrësit vendosi mosfillimin e procedimit penal, për shkak se “Omnix Albania”, shpk, ka një kontratë qeraje me shtetin shqiptar për shfrytëzimin e kësaj sipërfaqeje toke.

Për të paktën këto dy raste, Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se, në procesin gjyqësor civil për njohjen e pronës, paditësi Pal Selçuni ka paraqitur dokumente të falsifikuara, duke pretenduar se e ka poseduar pronën pa shqetësim për një periudhë 20-vjeçare.

Në këtë gjykim kanë qenë si palë ndërgjyqëse Bashkia Durrës dhe Avokatura e Shtetit. Rezulton se në seancën përfundimtare kanë munguar Bashkia e Durrësit dhe Avokatura e Shtetit.

Në këto kushte, ku palët e interesuara nuk kanë ngritur pretendime (për shkak të mungesës së tyre), gjykata e Durrësit, me vendimin nr. 457, datë 25. 03. 2016, ka vendosur të njohë shtetasin Pal Selçuni si pronar të pronës, objekt shqyrtimi. Gjithashtu, rezulton se kundër këtij vendimi nuk është bërë ankim nga palët ndërgjyqëse dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 19.04.2016.

Në veprimet e mëtejshme hetimore, Prokuroria e Durrësit do të shqyrtojë arsyet e mungesës së palëve ndërgjyqëse dhe mungesën e ankimit mbi vendimin e njohjes së pronës në emër të shtetasit Selçuni.

/tvklan.al





Të ngjashme