Çështja “Kareli”, prokuroria lehtëson akuzat për gardianët


Çështja “Kareli”, prokuroria lehtëson akuzat për gardianët

14:35 29/09/2016

Prokuroria greke i ka kërkuar Gjykatës së Selanikut shpalljen fajtorë të 13 gradianëve të burgut të Nigritas të akuzuar për torturimin e shqiptarit, Ilia Kareli, në vitin 2014. Fajtor, sipas saj është edhe ish – Drejtori i burgut, që akuzohet për marrje në mbrojtje të gardianëve.

Prokuria thotë se gardianët e kanë torturuar në mënyrë barbare Karelin, emri i vërtetë i të cilit është Kudret Kume, por nënvizon se nuk ishin torturat që i shkaktuan vdekjen.

Duke u mbështetur në deponimin e mjekut ligjor, prokuroria tha se Kareli e ka humbur jetën për shkak të një ataku kardiak, simptomat e të cilit ishin shfaqur para se ai të transferohej në burgun e Nigritas.

Torturat, sipas prokurorisë, ato ishin sistematike dhe të qëllimshme ndaj Ilia Karelit, si “ndëshkim” për humbjen e kolegut të tyre që u vra nga i burgosuri shqiptar në burgun e Malandrinos.

Goditja e dhunshme ndaj të burgosurit shqiptar është bërë në qelinë e pritjes, e cila nuk ishte e survejuar me kamera.

Prokuroria ndryshoi akuzën ndaj gradianëve, duke e lehtësuar atë krahasuar me akuzën fillestare të 4 Janarit 2016. Ndryshimi i akuzës, ndryshon edhe masën e dënimit për të pandehurit. Nëse në rastin e parë ata do të mund të dënoheshin me burgim të përjeshtëm, në rastin e dytë dënimet shkojnë nga 5 deri në 20 vjet.

Tv Klan






Të ngjashme