Droga rekord në Mat, pritet valë arrestimesh
Pas sasisë rekord prej tre ton kanabis sativa e seksuetruar në një magazine në fshatin Rremull të Matit qëndron një grup i strukturuar kriminal.
Policia ka shpallur në kërkim 45-vjeçarin, Shpëtim Lika, pasi magazina ku u gjet droga ishte vetëm 100 metra larg banesës së tij.
Por burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për Televizionin Klan se në hetime janë përfshirë edhe emra të tjerë.
Sipas tyre, kjo sasi e madhe e drogës e cila po thahej dhe 13 mijë rrënjët e asgjësuara nuk mund të menaxhohen nga një person i vetëm.
Informacioni se në këtë zonë kultivohej kanabis kishte mbërritur në polici prej disa muajsh. Droga mbillej masivisht në këtë fshat dhe magazina ku u gjetën 3 ton shërbente si hambar për ta mbledhur, tharë dhe më pas shitur të gjithë sasinë që korrej.
Grupi hetimor ka identifikuar disa persona të cilët janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në këtë zonë dhe po punohet për mbledhjen e provave për t’i arrestuar më pas.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mohoi që të ishin shpallur në kërkim punonjës policie apo të administratës lokale.
Gjatë të premtes, blutë bënë me dije se kanë sekuestruar një kamionçinë me targa të Tiranës, e cila dyshohet se përdorej për transportin e kanabisit. Ky automjet është në pronesi të firmës AREKLA SH.P.K.
Kjo kompani ka objekt tregtimin e materialeve të ndërtimit dhe punë të ndryshme në këtë fushë. Mësohet se admnistratori dhe ortakët e firmës do të merren në pyetje për të sqaruar pozicionin e tyre.
Tv Klan