Droga në Itali nga “Rruga e Adriatikut”
Kapja e gomones me rreth 500 kilogram kanabis është ngarkesa e dytë e drogës e kapur në 24 orë dhe që kishte si bazë pikënisje “Kepin e Rodonit.”
Ditën e shtunë në afërsi të Gjirit të Lalzit në një kamion u gjetën 255 kilogramë kanabis. Dyshohej se droga po dërgohej buzë detit, për ta trafikuar më pas me gomone drejt Italisë nëpërmjet asaj që quhet Rruga e Adriatikut.
Kjo linjë trafiku u përmend pak ditë më parë edhe nga revista italiane L’espreso që zbuloi se veç Kanalit të Otrantos, Deti Adriatik është rruga kryesore nga ku hyn kanabisi shqiptar në Itali, prodhimi vjetor i të cilit llograitet 900 tonë. Për transportin e saj, shqiptarët përdorin të gjitha mënyrat, deri tek motorrët e ujit.
Gjatë muajit Shtator policia shqiptare dhe Guardia Di Finanza italiane kanë mundur të sekuestrojnë sasi prej disa tonë hashashi të nisura nga bregdeti i Durrësit, i kthyer në një nga bazat e nisjes së drogës.
Për kalimin e drogës, trafikantët përdorin edhe Portin e Durrësit, ku vetëm pak ditë më parë u bllokua një kamion me 130 kilogramë kanabis, i fshehur në konfeksione.
Rasti më flagrant ishte ai i rrëzimit të avionit “Piper” në bregdetin e Ishmit, ku ishte ndërtuar dhe një pistë 1.5 kilometra e gjatë, e cila dyshohet se ishte në funksion të transportit të drogës nga ajri.
Po në Ishëm, policia gjeti një magazinë me drogë ku punëtorët pastronin kanabisin. Kjo banesë kishte kohë që shfrytëzohej nga trafikantet dhe ishte vetëm 1 kilometër larg pistës, ku u rrëzua piloti Guidi.
Tv Klan