De Biasi konfirmon ndryshimet në formacion


De Biasi konfirmon ndryshimet në formacion

14:24 05/10/2016

Shqipëria pritet të luajë në Lihtenshtejn me një formacion të ndryshëm nga ai që sfidoi Maqedoninë në “Loro Boriçi”. Për të kursyer forcat për ndeshjen ndaj Spanjës, por edhe për të shmangur ndonjë dëmtim, tekniku De Biasi mendohet se do të lerë në stol disa titullarë, në takimin me Lihtenshtejnin. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku konfirmoi se në formacion do të ketë ndryshime.

“Çdo skuadër ka mundësi të krijojë rreziqe. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqëndruar dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë gjatë ndeshjes. Skuadra arrin të fitojë kur është e përqëndruar dhe kur luan shpejt. Shpresoj që lojtarët të jenë në 100 % të formës dhe të luajnë një ndeshje me nivel. Do të bëj disa ndryshime sepse do të luajmë dy ndeshje të rëndësishme dhe më duhet të vlerësoj cdo detaj. Besoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të menaxhuar forcat”.

Kështu, pritet që Taulant Xhaka e Ansi Agolli ta nisin nga stoli. Në sulm mendohet të jetë nga minuta e parë Bekim Balaj, por një alternativë është edhe Edgar Çani. Në mesfushë pritet të shfaqet titullar Azdren Llullakun, Jahmir Hyka dhe Odise Roshi. Në mbrojtje Naser Aliji pritet të luajë në krahun e majtë, ndërsa pjesa tjetër do të jetë ajo e përballjes me Maqedoninë.

Ledian Memushaj është stërvitur veçmas ditët e fundit, por sipas mjekëve është një masë parandaluese për të mos lodhur mesfushorin.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, sulmuesi Armando Sadiku ka njoftuar se është operuar në gju. Ai thotë se ndërhyrja në menisk shkoi mirë dhe inkurajon shokët e skuadrës për ndeshjen kundër Lihtenshtejn dhe Spanjës.

Tv Klan






Të ngjashme