PD: 50 kg drogë në shtëpinë e kushërinjve të deputetit të PS. Qefalia: Nuk kam asnjë lidhje
Partia Demokratike ka deklaruar se në banesën e kushërinjve të deputetit socialist Xhemal Qefalia janë gjetur pasditen e sotme 50 kg kanabis, ndërsa shton se Ministri Tahiri po përpiqet ta mbajë të fshehtë ngjarjen.
“Edhe sot që raporti i monitorimit ajror tregon pesëfishim të sipërfaqes së drogës, Saimir Tahiri është sërish në shërbim të trafikantëve.
Tahiri po mundohet të mbajë të fshehur një ngjarje që ka ndodhur pasdite, në mënyrë që të lehtësojë rrethanat e kushërinjve të deputetit Xhemal Qefalia në banesën e të cilëve është gjendur 50 kg kanabis sativa e tharë.
Droga është kapur pikërisht në Priskë të Zall Herrit, ku ata kanë banesën. I ndaluari është Haxhi Qefalia, por Tahiri ka bllokuar daljen e informacionet dhe po bëhen të gjitha ndërhyrjet për ta nxjerrë të afërmin e deputetit.
Partia Demokratike e dënon ashpër këtë shërbim kriminal të urdhëruar nga Saimir Tahiri.
I kërkojmë policisë të bëjë transparencë të menjëhershme për ngjarjen.
Partia Demokratike e nxit prokurorinë të hetojë rastin dhe të ndalojë ndërhyrjet politike e presionet e Saimir Tahirit në këtë cështje.”
Menjëherë pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i deputetit Xhemal Qefalia i cili ka hedhur poshtë pretendimin e PD, duke thënë se nuk ka asnjë lloji lidhje me të arrestuarin dhe se nuk e njihte.
“Hedh poshte me neveri lajmin nga fabrika e Shqup-it se i arrestuari me mbiemrin Qefalia eshte kushuriri im dhe po merret ne mbrojtje nga une ! Nuk e njoh dhe nuk kam asnje lloj lidhje me te arrestuarin . E vetmja “lidhje” qe kam eshte mbiemri i perbashket Qefalia!
O Zot meshiroje Lul Bashen se nuk di cfare ben !”
/tvklan.al