Shmanget sulmi terrorist në Gjermani, arrestohen 3 persona
Forcat e anti-terrorit gjerman kanë parandaluar një sulm terrorist që mund të kishte pasoja katastrofike.
Tre persona u arrestuan në qytetin Chemnitz, në lindje të vendit, ndërsa janë vënë në kërkim të një të katërti. Ai është 22-vjeçari sirian Jaber Albakr, personi në këtë foto. Në apartamentin e tij, policia gjeti sasi të konsiderueshme eksplozivi. Forcat gjermane evakuuan të gjithë bllokun e banorëve pranë shtëpisë së sirianit. Sipas burimeve nga siguria gjermane, që citohen nga agjencia e lajmeve DPA, 4 terroristët ishin të lidhur me Shtetin Islamik. Ata dyshohet se do të kryenin një atentat terrorist ndaj një aeroporti në vend. Muajt e fundit Gjermania është vënë në shënjestër të terroristëve të ardhur kryesisht me valën e emigrantëve. Në Korrik një sulm me armë të ftohtë në një tren dhe një shpërthim kamikaz në Bavari tronditën opinioni publik. Një pjesë e mirë e gjermanëve fajësojnë kancelaren Angela Merkel dhe politikën e saj të dyerve të hapura, për situatën në vend. Tv Klan