Debati i dytë presidencial ka një fitues të qartë


Debati i dytë presidencial ka një fitues të qartë

14:30 10/10/2016

Sipas votuesve, Hillary Clinton fitoi debatin e dytë presidencial. Këto janë të dhënat e sondazhit të parë të opinionit publik.

Sipas sondazhit të CNN, 57 përqind e njerëzve mendojnë se fituese e këtij debati të dytë televiziv është Clinton, krahasuar me 34 përqind të votuesve që besojnë se Donald Trump kishte performancë më të mirë.

Një tjetër sondazh i realizuar nga YouGov doli në përfundimin se 47 përqind favorizonin Clinton ndërsa 42 përqind Trump.

Mes atyre që më parë kishin qenë të pavendosur u dallua vota pro Clinton.

Debati i nxehtë erdhi pas një fundjave dramatike dhe disi të hidhur të fushatës elektorale në SHBA, kjo pas publikimit të një video të kandidatit republikan, i cili bënte komente denigruese ndaj femrave. Trump u sfidua nga kundërshtarja rreth këtyre komenteve. Ai u përgjigj se ndihej i “turpëruar” nga komentet e tij, por tha se “kishte respektin më të madh për femrat”.

“Askush nuk ka më shumë respekt seç kam unë për femrat”,

deklaroi ai.

Trump u kundërpërgjigj duke kritikuar bashkëshortin e Clinton, ish – Presidentin Bill Clinton, duke e akuzuar atë për abuzime me femrat. Në në konferencë për shtyp përpara debatit, Trump tha se kishte biseduar me viktima të Clinton, të cilat e akuzojnë atë për përdhunim dhe ngacmim seksual.

“Të miat janë fjalë, të tijat ishin vepra”,

tha Trump për ish – Presidentin.

“Ajo çfarë i ka bërë ai femrave, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e politikës të këtij kombi. Nuk ka ndodhur kurrë që një politikan të jetë kaq abuziv me femrat”.

Nga ana e saj, kandidatja demokratike u kundërpërgjigj duke thënë se videoja përfaqëson ekzaktësisht personin që Trump është.

“E kemi parë të fyejë femrat, e kemi parë t’i vlerësojë ato në bazë të pamjes së jashtme, duke i vlerësuar nga 1 – 10ta, e kemi parë të turpërojë femrat në TV apo Twitter”,

tha Clinton.

Ky ishte debati i dytë televiziv ballë për ballë mes dy kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë në SHBA.

Debati përfshiu pyetje nga audienca ashtu sikurse nga rrjetet sociale./tvklan.al






Të ngjashme