
Rekrutimet në Siri, arrest me burg për Gerti Pashja-n
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrestim me burg” për Gerti Pashja-n i akuzuar si organizator i rekrutimit të shqiptarëve në Siri. 30-vjeçari u arrestuar pak ditë më parë në Turqi pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si i dyshuar për veprën penale rekrutim të personave për qellim kryerjen e veprimeve terroriste. Ai ka mbërritur në Gjykatë në masa të larta sigurie ndërsa seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur vetëm 30 minuta.
Para togave të zeza, Pashja deklaroi se nuk ka kryer asnjë vepër penale.
Gerti Pashja është i nënti që përfundon në pranga i akuzuar për terrorizëm, ndërsa në kërkim janë dhe katër persona të tjerë që dyshohet se janë në Turqi ose Siri.