Blushi rendit arsyet përse u largua nga PS


Blushi rendit arsyet përse u largua nga PS

15:15 13/10/2016

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, deputeti Ben Blushi renditi me tone të ashpra disa nga arsyet e largimit të tij nga Partia Socialiste. Sipas tij, kjo forcë politike është privatizuar dhe mbështet të fortët e të paligjshmit. Ai tha se nuk mund të jetë pjesë e një partie që nuk pranon të ketë zgjedhje, që nuk i do zgjedhjet.

Blushi kritikoi ashpër dhe hodhi akuza ndaj Rilindjes, për mosreagimin ndaj vdekjes së Ardit Gjoklajt, 17 – vjeçarit që humbi jetën në landfillin e Sharrës, duke e konsideruar heshtjen si dëshmi e të bërit palë me pronarët e jo me njerëzit punëtorë e të varfër që nuk ka guxim njeri t’i mbrojë.

“A ka rast më tipik se ajo që ndodhi, kur një fëmijë që punonte në Sharrë për bukën e gojës, për të cilin Rilindja nuk tha asnjë fjalë, as ngushëllim, ai humbi jetën në një territor publik që administrohet nga kompani private me lejen e shtetit. Ne largohemi nga një parti që nuk e mbrojti Arditin, që në fund të fundit e humbi jetën në punë. Ne nuk mund të pranojmë të mos ishim me Arditin, por të ishim me pronarët”, 

tha Blushi.

Blushi tha se Rilindja ka futur në parlament e administratë njerëz me precendetë penalë që kanë vrarë, përdhunuar, trafikuar, duke krijuar imazhin e një vendi jo normal, por që sipas tij, duket si një xhungël ku gjithnjë fiton më i forti.

“Është kthyer në një parajsë për ata që shkelin ligjin”,

theksoi Blushi, ndërsa tha se nuk mund të bëhet bashkë me një parti me injorantë, trafikantë e përdhunues.

Për Blushin, Rilindja ka prekur shtresën e mesme të këtij vendi dhe mbron pakicën në vend të shumicës. Rilindja ka vendosur të tradhëtojë arsimin dhe të ardhmen me qëllimin për të degraduar këtë vend, tha Blushi, duke prodhuar në këtë mënyrë injorancë:

 “Unë nuk mund të bashkëjetoj me këtë injorancë”,

tha Blushi.

Blushi foli edhe për krijimin e partisë së tij të re sëbashku me Hafizin, të paralajmëruar prej disa javës.

“Rilindja është një fatkeqësi kombëtare që duhet ndëshkuar me votë. Për këtë arsye bashkë me Hafizin do t’i bashkohemi shqiptarëve. Ne besojmë me bindje sot se Shqipëria është më e gatshme se kurrë t’i bashkohet një projekti për njerëz të zakonshëm, të cilët nuk ndahen mes tyre për shkak të pasurisë, por ndahen dhe pajtohen për shkak të drejtësisë”,

tha ai më tej./tvklan.al






Të ngjashme