Detaje të reja për skafistët shqiptarë
Një ditë pas kapjes së skafit të dytë me 277 kg marijuanë, ku u arrestuan 4 shqiptarë, autoritetet italiane publikuan detaje rreth operacionit dhe identitetet e të arrestuarve.
Ata janë Gentian Dana 39 vjeç, Bruno Sotaj 29 vjeç, Aulon Milo 29 vjeç dhe Edmond Dalipaj 39 vjeç, ky i fundit drejtues i skafit dhe person i dënuar më parë në Itali.
Gjatë vëzhgimit ishin dy makina tip Seat Ibiza dhe Volkswagen Golf që bënin lëvizje të dyshimta në zonë. Agjentët kishin pritur deri në momentin e ardhjes së skafit, për të arrestuar më pas në flagrancë 4 shqiptarët nga Vlora.
Por hetuesit italianë besojnë se nuk është neutralizuar i gjithë rrjeti i trafikut. Dyshohet se skafi i vogël është ngarkuar me sasinë e marijuanës në det, për të mos rrezikuar të gjithë ngarkesën.
Ndërkohë në mediat italiane Shqipëria cilësohet edhe një herë si lideri europian i prodhimit të marijuanës.
Të mërkurën policia shqiptare lajmëroi se po shkëmben informacione me Guardia di Finanza-n dhe po vijon procedurat hetimore të përbashkëta për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Tv Klan