Francë/Replika të forta mes kandidatëve në debatin presidencial
7 Kandidatët e djathtë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë, u përballën me njëri – tjetrin në një debat televiziv, i shoqëruar nga disa momente tensioni.
Temat kryesore ishin papunësia, emigracioni masiv apo siguria, por nuk u lanë mënjanë as sulmet personale. Debati televiziv konsiderohej edhe si një mundësi e artë për kandidatët jofavoritë për t’u vënë në dukje, pasi prej javësh sondazhet flasin për një epërsi të ish – Kryeministrit Alan Zhypé dhe ish – Presidentit Nikola Sarkozi.
Ky i fundit ishte në fokusin e kamerave pas një sërë skandalesh të përfshira.
Ai nënvizoi se vendi duhet të përballet me sfidat më të rëndësishme që pas Luftës së Dytë Botërore dhe kopjoi parrullën elektorale të Donald Trump -it, kur tha se Franca
“duhet të kthehet kombi i madh që ka qenë”.
“Mendoj se sfidat për vendin tonë nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme që prej vitit 1945. Reagimi ynë duhet të jetë i fortë, i menjëhershëm dhe konkret”.
Kandidatët nuk lanë pa sulmuar as politikën e Presidentit aktual, Fronsua Holond, për të cilin thanë se është manipulator, jo efikas dhe i paaftë.
Sipas një sondazhi të kryer nga rrjeti televiziv BFMTV, më bindës gjatë debatit të parë u shfaq Alan Zhupé, duke lënë pas ish – Presidentit Sarkozi.
Tv Klan