Biznesmeni: Ryshfeti m’u kërkua në emër të Prokurorit Braho


Biznesmeni: Ryshfeti m’u kërkua në emër të Prokurorit Braho

15:30 17/10/2016

Policia ka ndaluar në aeropotin e Rinasit mesnatën e së dielës biznesmenin Gani Manollari.

Ai është personi që videon e transmetuar në emisionin “STOP” i jep 18 mijë euro oficerit Fatos Lushi për t’i liruar një llogari bankare të ligjshme prej 120 mijë eurosh.

41 – vjeçari është marrë në pyetje nga Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila po heton këtë rast korrupsioni.

Manollari ka dhënë sqarime në cilësinë e dëshmitarit dhe personit që ka dijeni për ngjarjen, duke mos ngritur akuzë për të në këtë fazë të hetimeve.

Mësohet se biznesmeni i ka qëndruar versionit të transmetuar në emisionin “STOP”, se paratë i ishin kërkuar nga oficeri Lushi në emër të Prokurorit Ardian Braho.

Ai ka thënë se kishte më shumë se dy vite që kërkonte të merrte paratë, por për arsye të ndryshme prokuroria nuk e lejonte. Oficeri Fatos Lushi është shpallur në kërkim dhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për të. Ndërsa Prokurori Braho është pezulluar nga detyra, deri në sqarimin e kësaj çështje.

Tv Klan






Të ngjashme