Vetting -u shkon në Venecia
Pas pezullimit të ligjit të Vetting -ut, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar për mendim Komisionit të Venecias lidhur me pajtueshmërinë e tij me Kushtetutën dhe Konvetën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dokumenti në anglisht i është nisur pasditen e së premtes këtij organi këshillimor për çështjet ligjore në Këshillin e Europës. Publikimi është bërë edhe në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, që pritet të mblidhet për dhënie mendimi në datat 9 dhe 10 Dhjetor.
Dërgimi në Venecia i ligjit të Vetting-ut erdhi pas padisë së Partisë Demokratike, e cila kërkoi pezullimin e ligjit, mendim lidhur me kushtetueshmërinë e tij nga Komisioni i Venecias dhe shpalljen si antikushtetues të ligjit, për të cilin opozita thotë se bie ndesh me ndryshimet konsensuale të bëra në ligjin themeltar të shtetit, në 21 Korrik.
Vendimi i Kushtetueses për të pezulluar zbatimin e ligjit të Vetting-ut, ngrin njëherazi çdo efekt të ligjit deri në shqyrtimin e tij në themel nga kjo gjykatë.
Por Vetting-u është ligj kyç për zbatimin e Reformës në Drejtësi, pasi pa atë nuk mund të krijohen organet që bëjnë rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelit. Njëherazi mungesa e këtyre organeve pamundëson edhe punën e operacionit ndërkombëtar të monitorimit, i ngarkuar me Kushtetutë të mbikqyrë procesin e vetting -ut.
Nëse prokurorët e gjyqtarët nuk kalojnë më parë në procesin e rivlerësimit, atëherë bëhet e pamundur edhe ngritja e Prokuroisë së Posaçme, Gjykatave Speciale dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Por demokratët thonë se ligji i miratuar në parlament vetëm me 88 votat e mazhorancës tenton të vërë nën kontrollin e kryeministrit drejtësinë, duke cënuar parimin e ndarjes së pushteteve. Nga ana e tij, kryeministri është shprehur se përmes dërgimit të Vetting-ut në Kushtetuese, Partia Demokratike është vënë përballë Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Tashmë që çështja ka mbërritur në tryezën e Komisionit të Venecias, Kushtetuesja do të duhet të presë opinionin e muajit Dhjetor deri në marrjen e një vendimi për të pranuar osë rrëzuar padinë e opozitës.
Tv Klan