Bashkia nis ndërtimin e rrugës “Shefqet Kuka”
Një tjetër lagje në kryeqytet do të ketë shumë shpejt një infrastrukturë më të mirë rrugore. Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për rikonstruksionin e bllokut të banimit dhe asfaltimin e rrugës “Shefqet Kuka”, si dhe rrugëve lidhëse në Njësinë 4, në të cilën nuk është vënë dorë prej vitesh, duke u kthyer në një shqetësim të madh për banorët e zonës.
Nisja e punimeve u inspektua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, i cili tha se ky investim është një tjetër premtim i mbajtur. Veliaj shtoi se ky projekt është tregues i faktit se Bashkia e Tiranës trajton me të njëjtin standard dhe prioritet si qendrën ashtu edhe periferinë e kryeqytetit.
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”44″ ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser”]
Ai nënvizoi se kjo rrugë do i shërbejë mijëra banorëve dhe se, ashtu si në çdo vend tjetër ku ka ndërhyrë Bashkia e Tiranës, do të rrisë vlerën e pronave të banorëve të zonës. Që investimi të ketë vërtet të gjitha standardet e kërkuara, kryebashkiaku i Tiranës theksoi se nevojitet edhe bashkëpunimi i banorëve të zonës, të cilët duhet të tërheqin muret dhe gardhet e tyre rrethuese për të krijuar mundësinë e zgjerimit të rrugës dhe trotuareve.
Rruga “Shefqet Kuka” ndodhet në Njësinë Administrative nr. 4, një zonë ku dominojnë ndërtimet e pas viteve 1990, kryesisht shtëpi 1-3 kate dhe pallate 7-8 kate. Punimet parashikojnë ndërhyrje në gjitha nënshtresat dhe asfaltim të rrugës, ndërtim bordurash dhe trotuaresh. Gjithashtu, punimet do të përfshijnë rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin rrugor, sinjalistikë rrugore dhe shtrirjen e linjave rezervë elektro-telefonike./tvklan.al