Rama në ciklonin e mediave greke: Tirana dhe Ankaraja në të njëjtën linjë
Mediat greke shohin ngjashmëri mes deklaratave të kohëve të fundit të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. I pari iu referua përkatësisë turke te ishujve të Egjeut , ndërsa i dyti Athinës si një qytet shqipfolës.
“ProtoThema” shkruan se diplomacia greke nuk mund të verifikojë nëse Edi Rama është në marrëveshje me Erdogan.
Megjithatë, sipas gazetës, koha po tregon se Tirana zyrtare vepron me linjat e qeverisë turke, me qëllimin e qartë për të shfrytëzuar dobësinë e Athinës dhe krijuar një tjetër precedent në marrëdhëniet dypalëshe.
“Athina nuk ka alternativë tjetër veçse të bllokojë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, për aq kohë sa është vetë politika e qeverisë Rama minon intergrimin e vendit në Bashkimin Europian”, shkruan “Proto Thema”
Ndërsa gazeta tjetër “Kathimerini” duke iu referuar burimeve të Ministrisë sw Jashtme greke parashikon rritje te mëtejshme të tensioneve mes dy vendeve.
Sipas gazetës kjo qasje nuk shpjegohet vetëm me afrimin e zgjedhjeve të qershorit në Shqipëri, por me një plan të qeverisë shqiptare për të mbajtur të tensionuara marrëdhëniet mes dy vendeve, me çështjen çame dhe atë të pronave në Himarë.
Për zhvillimet e ditëve të fundit pala greke thirri për shpjegime ambasadorin shqiptar ne Athinë, Dashnor Dervishi.
Autoritetet greke mësohet se kanë ngritur shqetësimin jo vetëm për tonet jo diplomatike të kryeministrit Rama, por edhe për deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila sipas Athinës përmbante një qasje agresive që nuk i shërben uljes së tensioneve mes dy vendeve./ TV KLAN