Sekuestrohen 260 kg drogë, 2 persona në kërkim
260 kg drogë është bilanci i dy operacioneve antidrogë të zhvilluara në qarkun e Gjirokastrës.
Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se dy operacionet janë zhvilluar gjatë ditës së sotme në Frashër të Përmetit dhe në Kurvelesh të Tepelenës, ku janë angazhuar 75 forca policore. Sipas policisë janë evidentuar dy hangarë që shërbenin për tharje të bimëve narkotike. U asgjësuan me anë të djegies 2820 bimë narkotike në proces tharje dhe 970 bimë të kultivuara, si dhe u shpallën në kërkim 2 persona. Operacioni i parë u zhvillua në vendin e quajtur Mbroshnik të fshatit Frashër të rrethit Përmet. Gjatë operacionit është evidentuar një hangar ku brenda të cilit u gjetën të varura në proces tharje 2500 dega të bimëve narkotike në proces tharje të cilat u asgjësuan në vend me anë të djegies. Gjithashtu u gjetën 25 thasë të mbushur me lëndë narkotike me peshë rreth 260 kg. Nga ana e Policisë Përmet është shpallur në kërkim K.L., banues në Frashër, i cili në momentin e ndërhyrjes së policisë ka mundur të largohet në pyll. Operacioni i dytë u zhvillua në Kurvelesh në malin e fshatit Nivicë, ku u gjet një parcelë me 970 bimë të kultivuara dhe një hangar me 320 degë të bimëve narkotike të varura në proces tharje. Policia e Tepelenës ka shpallur në kërkim K.V., pasi ka mundur të largohet në mal./tvklan.al