Siguria ushqimore, preken 5 persona nga antraksi


Siguria ushqimore, preken 5 persona nga antraksi

15:31 21/04/2014 MISH5 persona janë prekur nga antraksi në Tepelenë, si pasojë e mungesës së kontrollit ushqimor. Ministria e Bujqësisë, dikasteri përgjegjës për të garantuar sigurinë ushqimore, i konfirmoi këto raste, por bëri përgjegjës fermerët, për papërgjegjshmëri.

Shpresa Arbi/ Drejtore e Shërbimit Veterinar:

Rastet e evidentuara në Tepelenë me plasje në 5 persona, janë të izoluara, dhe janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria individuale dhe mosndërgjegjësimi i fermerëve në zona të ndryshme të vendit.

Ministria e Bujqësisë thotë se sëmundjet që kalojnë nga kafsha tek njeriu janë nën kontroll të plotë. Por pranon se masat për rastin e Tepelenës janë marrë pasi u përhap sëmundja.

Shpresa Arbi/ Drejtore e Shërbimit Veterinar:

Ministria e Bujqësisë pas njoftimeve që mori nga Instituti i Shëndetit Publik në rrethin e Tepelenës në fshatin Arzë e Madhe, mori të gjitha masat, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së plasjes.E gjithë zona u vu nën kontrollin veterinar dhe u vaksinuan 4000 krerë që mbarështroheshin në këtë zonë.

Ministria e Bujqësisë ka për detyrë të sigurojë konsumatorët se ushqimet që dalin në treg nuk janë të rrezikshme. Por faktin se produktet nuk kontrollohen përpara shitjes, e pranojnë edhe vetë drejtuesit e këtij dikasteri.

Shpresa Arbi/ Drejtore e Shërbimit Veterinar:

Ne ndërhyjmë në ato raste ku evidentohen sëmundjet.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Luljeta Alla, në një intervistë për Gazetën Shqiptare thotë se mishi i infektuar mund të dallohet vetëm nga specialistët. Antraksi që shkaktohet nga konsumimi i mishit të kafshëve të prekura nga sëmundja e plasjes, është mjaft i rrezikshëm, nëse nuk trajtohet me mjekim të specializuar. 5 personat e prekur në Tepelenë iu nënshtruan terapive shtesë.

tvKlan





Të ngjashme