Familja e Deharit: Autopsia të bëhet me mjekët e caktuar nga ne
Familja e aktivistit të ndjerë Astrit Dehari, i cili humbi jetën ditën e sotme në rrethana ende të paqarta në burgun e Prizrenit ku qëndronte prej 68 ditëve, kërkojnë një autopsia e trupit të tij të bëhet në prezencë të mjekëve të pavarur dhe neutral, që do të caktohen nga familja e tij.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, familja Dehari shprehet se kjo kërkesë vjen pas deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria, policia e shërbimi korektues në kosovë.
“
Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departmenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit tonë Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja.
Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja”
, thuhet në deklaratë. /tvklan.al