Zgjedhjet në SHBA, votojnë Clinton e Trump
Amerikanët iu drejtuan të martën kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara. Dy kandidatët në garë u paraqitën pranë qendrave zgjedhore të shoqëruar nga familjarët e tyre. E para ishte kandidatja demokrate, Hillary Klinton, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj ish-presidenti Bill Klinton që iu drejtuan qendrës në Chappaqua, pranë banesës së saj në veri të Nju Jorkut.
“Do të bëj më të mirën time nëse do të kem fatin të zgjidhem”, tha Clinton e cila dukej e qetë por me një pamje të lodhur për shkak të fushatës zgjedhore të gjatë e të stërmundimshme.
Pak minuta më pas ishte radha e Donald Trump të votonte edhe ai në Nju Jork. Kandidati republikan shoqërohej nga bashkëshortja, Melania. Ashtu si rivalja e tij edhe miliarderi njujorkez dha një përshtypje të shkurtër për gazetarët.
Qendrat zgjedhore u hapën në orën 6 të mëngjesit, me orën lokale, në 12 me atë evropiane në 9 shtete të bregut lindor. Më shumë se 46 milionë amerikanë, apo mbi 40% e elektoratit kanë votuar tashmë në ato që quhen zgjedhjet e hershme, të nisura prej javësh. Kjo shifër përbën një numër rekord për vendin. Kurrë më parë amerikanëve nuk u është dashur të zgjedhin mes dy vizioneve diametralisht të kundërta.
Tregjet botërore ndërkohë mbajnë frymën pezull, pasi verdikti i këtyre zgjedhjeve do të ketë me shumë gjasa një impakt global. Kompanitë e mirëfillta të sondazheve në SHBA, deri në këto momente vlerësojnë se Hillary Clinton gjendet nga 3-4 pikë në avantazh, por Trump është aty, madje në disa shtete bastione ka vënë në rrezik rivalen e tij. “Gjithsesi mbetemi brenda marshit të gabimit”, shkruajnë mediat në SHBA.
Rezultatet e para të zgjedhjeve të sotme presidenciale pritet të dalin të mërkurën rreth orës 6-të mëngjesit, me orën evropiane. Presidenti i 45-të i Shteteve te Bashkuara do të betohet më datë 20 maj, duke marrë zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë./ TV KLAN