Bashkia nis rikonstruksionin e Shkollës së Baletit
Shkolla e Baletit do të jetë shumë shpejt në dispozicion të nxënësve që studiojnë në Tiranë, tërësisht e rikonstruktuar dhe me kushte më të mira. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet kjo shkollë dhe lajmëroi nisjen e punimeve për rikonstruksionin e saj, ku studiojnë 226 nxënës të moshave 10 - 18 vjeç.
Aktualisht, për shkak të gjendjes së mjeruar të godinës, nxënësit e kësaj shkolle po vijojnë normalisht mësimin në shkollën “Migjeni”. Duke vlerësuar kontributin e kësaj shkolle në nxjerrjen e talenteve, kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia dhe institucionet shtetërore mbajnë përgjegjësi për investimet që janë publike dhe që duhet të jenë me standardet më të mira. Kryebashkiaku i Tiranës shprehu bindjen se, deri në pranverë, do të ketë përfunduar i gjithë rikonstruksioni i shkollës. Ai deklaroi se do të lirohen të gjitha hapësirat publike rreth e qark shkollave të zëna nga ndërtimet informale. Veliaj u kërkoi qytetarëve që kanë zaptuar oborret e shkollave t’i lirojnë ato. Drejtoresha e Shkollës së Baletit, Blerina Arbana, vlerësoi investimin e Bashkisë së Tiranës për ndryshmin e gjendjes në të cilën ndodhet shkolla, ku shirat hynin tërësisht brenda. Godina ka patur disa shtesa dhe rikonstruksione ndër vite, por ndërhyrja e fundit daton që në vitin 2006. Ndërhyrjet në këtë shkollë parashikojnë rikonstruksionin e fasadës, hidroizolimin e tarracës, rikonstruksion total të nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik, dhomat e zhveshjeve. Gjithashtu, për t’u ardhur në ndihmë nxënësve që studiojnë në këtë shkollë, do të vendosen 2 piano të reja në sallat e baletit, si dhe do të bëhet shtrimi me parketin e përshtatshëm për sallat e kërcimit, si dhe do të vendoset sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes./tvklan.al