Gjykata liron tregtarët e duhanit, u përplasën me policinë dhe Doganat
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lirojë katër tregtarët e duhanit të arrestuar një ditë më parë nga policia.
Për Arjan Halilin, Marjan Palalejn, Denis Zefin, dhe Astrit Muçajn është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje.
Të premten këta persona kundërshtuan forcat e policisë dhe Doganën e Shkodrës, gjatë një aksioni për goditjen e tregtisë së paligjshme të duhanit.
Mbi këta persona është ngritur akuza e kundërshtimit të personave që kryejnë funksione publike, vetëm për rastin e doganierëve. Burimet sqarojnë se për goditjen e shefit të krimit ekonomik, Pjerin Lazri, në policinë e qytetit verior nuk është ngritur akuza.
Të njëjtat burime thonë se ai nuk ka patur asnjë shenjë dalluese që është punonjës policie.
Gjithashtu Prokuroria Shkodër do të vlerësojë veprimet e doganierëve për të saktësuar nëse ata duhet të ushtrojnë kontrolle në trotuare.
Një ditë më parë, Gjykata e Shkodrës vendosi të pezullojë nga detyra Lazrin, pasi dyshohet se nuk ka respektuar ligjin. Në pamjet filmike i gjendur në sulmin e tregtarëve, ai ka nxjerrë armën e shërbimit. Kjo gjë ka irrituar më shumë tregtarët të cilët e kanë goditur me pako duhani dhe sende të tjera.
Tv Klan