Trafik droge në Holandë, sekuestrohen prona me vlerë 500 mijë €


Trafik droge në Holandë, sekuestrohen prona me vlerë 500 mijë €

11:54 16/11/2016

13 prona, në emër të Ilir Koçiaj, me vlerë 500 mijë janë sekuestruar nga Prokuroria për Krime të Rënda. Koçiaj, është i dënuar për trafik lëndësh narkotike, në kuadër të operacionit të koduar “Poter-Al”.

Hetimi pasuror ndaj Koçiajt ka nisur fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, pasi ai u dënua me 10 vjet e 8 muaj burgim nga Gjykata për Krime të Rënda, për kryerjen e veprës penale “trafikimi i narkotikëve”, të kryer në formën e organizimit.

Ai është shpallur fajtor pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nga Holanda në Itali, në disa episode, të cilat kanë ndodhur në vitin 2003.

Nga veprimet hetimore të kryera fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, rezultuan se në emër të shtetasit Ilir Koçiaj figuronin 11 njësi tregtare në Elbasan dhe 2 apartamente në Tiranë, të cilat dyshohet se kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e tij.

Në bazë të veprimeve procedurale të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se: Të gjitha pasuritë e paluajtshme në Elbasan ndodhen në të njëjtin pallat, në lagjen “Aqif Pasha”, , i cili është ndërtuar me lejë ndërtimi të miratuar në vitin 2004, ku shtetasi Bashkim Koçiaj (vëllai i Ilir Koçiaj) ka qenë bashkë-investitor, në masën 55 % në ndërtimin e pallatit.

Ndërsa pasuritë e llojit apartament, të cilat ndodhen në rr. ‘Dervish Hima”, në Tiranë, janë fituar në vitin 2012, në bazë të kontratave të shit-blerjeve, me një çmim total rreth 75 mijë euro.

Nga aktet procedurale të hetimeve paraprake krijohen dyshime të arsyeshme se pasuritë e paluajtshme të mësipërme të regjistruara në pronësi të shtetasit Ilir Koçiaj janë pasuri të krijuara si rezultat i veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi./tvklan.al






Të ngjashme