“STOP” – Video/ Ministri Beqaj shkarkon vartësin, nuk shkoi në mbledhjen e partisë
Një ditë më parë emisioni investigativ “STOP” njoftoi të gjithë teleshikuesit e Televizionit Klan se gjatë puntatës së sotme do të njiheshin me një skandal të një ministri.
Bëhet fjalë për Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Historia nis në datën 31 Tetor 2016, ku në qytetin e Tropojës është zhvilluar një mbledhje asambleje e Partisë Socialiste dhe i pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Gjatë kësaj mbledhje, për arsye personale nuk ka qenë i pranishëm Çlirim Hajdarmataj, Kryetar i degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në qytetin e Tropojës. Por kjo mos prezencë i ka kushtuar jo pak Hajdarmatajt, pasi disa ditë më vonë, pikërisht në datën 7 Nëntor 2016, pas një urdhëri të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, z. Hajdarmataj është hequr nga puna. Ai vendosi t'i drejtohej emisionit "STOP" për të treguar publikisht këtë rast absurd të largimit nga puna. “Jam Çlirim Hajdarmataj nga Tropoja"
. Pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”, cili është problemi juaj?"Përgjatë tre viteve jam Kryetar i Degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.
Papritur, pa asnjë lloj vërejtje, pa asnjë lloj këshille apo mase disiplinore, sot më komunikohet urdhëri i largimit nga puna, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, më datë 7.11.2016.
Ky njoftim më ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky shkarkim i menjëhershëm ka ndodhur, për një mbledhje partie që unë nuk kam shkuar, e kam pasur të pamundur, kam pasur arsye personale dhe nuk kam qenë në mbledhjen e partisë të asamblesë të rrethit Tropojë".
Të Partisë Socialiste?"Po, të Partisë Socialiste. Kjo është arsyeja e cila është shkelje flagrante dhe është një rast absurd, që të largohesh nga puna, se pse nuk erdhe në një mbledhje partie."
Sipas një urdhëri të lëshuar më datë 4.11.2016 nga ana e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pra nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Kujdesit Shëndetësor urdhërohet shkarkimi i menjëhershëm nga puna i zotit Çlirim Hajdarmataj: “Z. Çlirim Hajdarmataj, aktualisht me detyrë Kryetar i Degës Tropojë pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Kukës, t’i ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe financiare me Fondin, duke filluar nga data 07.11.2016.” Por historia nuk përfundon me kaq. Cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga puna? Ai ka komunikuar me Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është i deleguari i Partisë Socialiste në Tropojë, ku gjatë bisedës, Ministri në fund shprehet se i uron gjithë të mirat në jetë, duke i lënë të kuptojë Çlirim Hajdarmatajt, që nuk do të jetë më pjesë e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.